Në datën 18 Shkurt 2022, në kuadër të projektit: “Volunteerism Marathon Day” i cili zbatohet nga Qendra Youth Act dhe Agjencia e Demokracisë Lokale Kosovë, si dhe financohet nga programi “Youth Cooperation i cili zbatohet nga The Balkan Forum“, u zhvillua aktiviteti me temë “Ngritje Kapacitetesh për të rinjtë në çështjet e mjedisit”. Në këtë aktivitet morën pjesë nxënësit e shkollës “Havzi Nela” në Kukës dhe shkollës “Bedri Pejani” në Pejë.
I ftuari i parë z. Vullnet Sanaja, Drejtor Ekzekutiv i Anibar, theksoi rendësinë e aktivizimit të të rinjve për të vlerësuar trashëgiminë e tyre natyrore dhe për të kuptuar mirë se çfarë mund të bëhet për ta mbrojtur atë, si dhe rolin që ajo luan në zhvillimin e shëndetësisë, e ekonomisë dhe të shoqërisë. Gjithashtu ai ndau dhe eksperiencat e tij të cilat lidhen me vullnetarizmin dhe mjedisin.
Z. Erion Muca, ekspert Edukimi dhe Karriere, ndau me pjesëmarrësit rëndësinë e përfshirjes sociale dhe aktivizmit në zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetit duke filluar që nga ruajtja dhe mbrojtja e mjedisit e më tej. Gjithashtu ai dha disa shëmbuj për mënyrën si të rinjtë mund të marrin pjesë por dhe të zhvillojnë aktivitete duke përfituar eksperienca të reja dhe duke ndihmuar njëkohësisht komunitetin për një jetesë më të mirë.
Qëllimi i përgjithshëm i projektit lidhet me ndërgjegjësimin e të rinjve në zbatimin e aktiviteteve të cilat synojnë mbrojtjen e mjedisit kryesisht ndaj mbetjeve të plastikës. Projekti do të zbatohet në zonën ndërkufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar dhe promovuar traditën e “Volunteerism Marathon Day” përmes aktivizimit të të rinjve si një komunitet që duhet të ndërmarrë nisma dhe të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e komunitetit.