Youth Act realizoi një vizitë shkëmbimi në Barcelonë pranë Carnet Jove Catalunya, një nga sistemet më të zhvilluara dhe me përvojë të Kartës Rinore Evropiane.
Vizita u fokusua në shkëmbimin e përvojave praktike që lidhen me menaxhimin, zhvillimin dhe funksionimin e përditshëm të Kartës Rinore. Gjatë takimeve u diskutua mënyra se si Carnet Jove bashkëpunon me institucione publike dhe biznese private, si ndërtohen dhe mirëmbahen partneritetet, si dhe si krijohen oferta dhe përfitime që u përgjigjen nevojave reale të të rinjve. Vëmendje e veçantë iu kushtua komunikimit, përdorimit të platformave digjitale dhe programeve që nxisin angazhimin aktiv të të rinjve përtej përfitimeve klasike.
Në kuadër të vizitës, Youth Act realizoi gjithashtu një prezantim mbi mënyrën se si Karta Rinore Evropiane zbatohet në Shqipëri. Prezantimi përfshiu strukturën e Kartës Rinore, partneritetet me biznese dhe institucione, modelin e çmimit, si dhe strategjinë e komunikimit dhe informimit të të rinjve.
Vizita shërbeu gjithashtu si një hapësirë reflektimi mbi mënyrën se si Karta Rinore mund të mbetet e aksesueshme, e dobishme dhe e afërt me të rinjtë, duke ruajtur njëkohësisht qëndrueshmërinë afatgjatë përmes partneriteteve të forta dhe komunikimit të qartë.
Përvoja dhe njohuritë e fituara gjatë kësaj vizite shkëmbimi do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të Kartës Rinore Evropiane në Shqipëri, veçanërisht në forcimin e partneriteteve, përmirësimin e cilësisë së ofertave dhe rritjen e angazhimit të të rinjve në nivel kombëtar.
Qendra Youthact




