Bruksel, Belgjikë – 29 Qershor-03 Korrik 2025
Faza e tretë dhe përmbyllëse e projektit Breaking Boundaries u zhvillua në Bruksel, në selinë politike të Bashkimit Evropian. Për vullnetarët e Youth Act nga Shqipëria, kjo përvojë shënoi një kulm të rëndësishëm të angazhimit të tyre, ku ide, pyetje dhe shqetësime u ndanë drejtpërdrejt me figura kyçe të institucioneve evropiane.
Programi përfshinte vizita të strukturuara në Parlamentin Europian, Komitetin e Rajoneve, Komisionin Evropian, Këshillin e BE-së dhe Komitetin Ekonomik e Social. Gjatë këtyre takimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë me zyrtarë si Jason Wiseman, Suzanna Matvejevic, David Hoic dhe eurodeputetë të njohur si Antonio Tanger Correa dhe Riho Terras.
Përmes pyetjeve të drejtpërdrejta dhe reflektimeve të thella, vullnetarët e Youth Act shprehën qëndrimet dhe vizionin e brezit të ri për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Një moment vërtet unik ishte vizita në Parlamentarium, ku pjesëmarrësit përjetuan virtualisht përmes teknologjisë VR përditshmërinë e një eurodeputeti – një përvojë edukative, inovative dhe frymëzuese.
Brukseli u bë jo vetëm një destinacion politik, por një hapësirë reflektimi dhe motivimi për të rinjtë që duan të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe të jenë pjesë aktive e proceseve vendimmarrëse që ndikojnë të ardhmen e tyre.
Qendra Youthact








