Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), në kuadër të mbajtjes nga Shqipëria të Kryesisë së Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), organizon, për të rinjtë shqiptarë që kanë mbaruar të paktën programin universitar “Bachelor”, një praktikë 3-mujore.
MEPJ synon që, përmes kësaj praktike 3-mujore, t’i japë mundësi të rinjve shqiptarë që synojnë një karrierë diplomatike apo në marrëdhëniet ndërkombëtare në të ardhmen, që të njihen me praktikat protokollare dhe diplomatike të shërbimit të jashtëm shqiptar.
Kriteret kryesore që duhet të plotësojnë kandidatët janë:
1. Letër interesi drejtuar MEPJ, të shoqëruar me jetëshkrimin individual (CV, e-mail, nr.telefoni/celulari);
2. Të ketë mbaruar programin universitar “Bachelor” (kopja e diplomës dhe e listës së notave); si dhe
3. Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze (kopja e diplomës/certifikatës së gjuhës angleze).
Të interesuarit mund të aplikojnë, deri në datën 22 tetor 2020, në adresën e më poshtme elektronike: [email protected].
Përzgjedhja përfundimtare do të bëhet nga një komision i posaçëm në MEPJ, bazuar në të dhënat e diplomave/certifikatave, si dhe një bashkëbisedimi në gjuhën angleze nëse do të jetë e nevojshme.
Njoftimi i kandidatëve fitues do të bëhet, elektronikisht, brenda datës 28 tetor 2020.