Ditën e martë, më 7 Nëntor, ora 11.30 – 12.30, SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” në bashkëpunim me Qendrën Youth Act, organizoi leksionin e hapur me temë: “Fuqizimi i të rinjve shqiptarë nëpërmjet programeve të mobilitetit, si: Karta Rinore Evropiane & Shërbimi Vullnetar Rinor, EVS”.
I ftuar special në këtë takim, z. Shpati Kolgega, zv/Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, prezantoi iniciativat më prioritare të Ministrisë lidhur me angazhimin dhe fuqizimin e rinisë shqiptare. Ndër iniciativat më të rëndësishme u theksuan: hartimi i Ligjit për Rininë nga ekspertë të fushës në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile që punojnë me të rinjtë, grupime rinore dhe të rinj aktivë; si dhe Programi për Praktikat Kombëtare, nëpërmjet të cilit studentëve dhe të rinjve u sigurohet praktika mësimore në Institucione Publike dhe të rinjve më të suksesshëm u garantohet edhe një vend pune. Një arsim i mirë i shoqëruar dhe me eksperiencën e punës, i bën të rinjtë të jenë gati për tregun e punës. Z.Kolgega, vlerësoi Kartën Rinore Evropiane, si një nga mjetet më të rëndësishme për zhvillimin e mobilitetit rinor, si dhe shprehu mbështetjen e tij për promovimin e kësaj karte në nivel institucional.
Në këtë takim u dha informacion i detajuar për funksionet e Kartës Rinore Evropiane dhe për programin EVS. Znj. Ingrid Xhaja, Menaxhere e Përgjithshme e kinemasë Cineplexx Albania ndau me auditorin informacion lidhur me zbritjet që përfitojnë kartëmbajtësit për të parë një film në Cineplexx dhe disa statistika. Znj. Xhaja, pohoi se gjatë vitit të kaluar rreth 800 të rinj kanë përfituar zbritje me Kartën Rinore Evropiane dhe këtë vit ky numër është në rritje.
Gjithashtu, znj. Romina Shtylla, vullnetare pranë Qendrës Youth Act, ndau eksperiencat e saj lidhur me dy programe EVS, në Portugali dhe në Turqi, si dhe z. Muhamet Arifi, Drejtor Ekzekutiv i Balkan Sunflowers Kosova, dha informacion për projektet e ndryshme rinore dhe për përvojat e organizatës së tij me programin EVS.
Në këtë leksion të hapur morën pjesë rreth 60 studentë, të rinj, dhe disa vullnetarë nga Kosova, Turqia.