District of Reconciliation – Broshurë

Broshura prezanton një projekt që merr formë në një rajon ku e kaluara vazhdon të ndihet, por rrallë herë trajtohet hapur. Në këtë kontekst, pajtimi shpesh mbetet në nivelin e fjalëve, ndërsa jeta e përditshme vazhdon të zhvillohet përgjatë vijave ndarëse. Projekti në të kundërt nga kjo mënyrë e të menduarit, e trajton pajtimin si një praktikë që ndërtohet përmes takimeve, ndërveprimit të vazhdueshëm dhe pranisë në hapësira të përbashkëta.

Më shumë se dy dekada pas konflikteve, rrëfimet në hapësirën publike mbeten të fragmentuara, ndërsa dialogu shpesh kufizohet në deklarata formale ose gjeste simbolike. Kjo krijon një lloj stabiliteti ku njerëzit bashkëjetojnë, por rrallë takohen për t’u përballur me dallimet dhe për t’i trajtuar ato më në thellësi. Projekti niset nga kjo gjendje dhe krijon mundësi që çështjet ende të pazgjidhura të mbeten të dukshme në diskutimin publik.

Veprimtaritë e projektit ndërtohen mbi ndërveprimin e vazhdueshëm. Kampet rinore u japin pjesëmarrësve mundësinë të përballen me sfidën e dialogut me individë që i shohin gjërat ndryshe. Panelet rajonale e shtrijnë këtë dinamikë në hapësirën publike, duke u lënë vend edhe interpretimeve që bien ndesh me njëri-tjetrin, pa i reduktuar në rrëfime të thjeshtuara.

Kjo qasje vijon në programet në nivel distrikti, ku veprimtaritë kulturore krijojnë hapësira të përbashkëta në mjediset e jetës së përditshme. Aty, mundësia e bashkë-jetesës vihet në provë përmes pranisë së përsëritur në këto hapësira, pjesëmarrjes dhe ndërtimit gradual të besimit. Broshura jep një pasqyrë të këtij procesi dhe të veprimtarive përmes të cilave ai merr formë.

Projekti “District of Reconciliation” bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian, zbatohet me pjesëmarrjen e Lëvizjes Europiane në Serbi dhe koordinohet nga Fondacioni “Novi Sad – Kryeqyteti Europian i Kulturës”. Përmbajtja është përgjegjësi ekskluzive e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian apo të partnerëve të projektit.

Për të lexuar broshurën e plotë, klikoni këtu.