Diskutim rajonal në Podgoricë: Ballkani Perëndimor mes integrimit dhe ndarjes

Më 26 nëntor 2026, në hotelin Crowne Plaza në Podgoricë, do të mbahet diskutimi rajonal “Ballkani Perëndimor mes integrimit dhe ndarjes”, në kuadër të projektit District of Reconciliation.

Përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë dhe të rinj nga i gjithë Ballkani Perëndimor do të diskutojnë mbi integrimin europian, përballjen me të kaluarën, gjuhën e urrejtjes dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e besimit dhe pajtimit në rajon.

Aktiviteti organizohet nga OJQ-ja Mladiinfo Montenegro dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian përmes programit IPA III, si dhe nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, Investimeve dhe Bashkëpunimit me Organizatat Joqeveritare e Malit të Zi.

Programi nis në orën 11:00 me fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve të organizatorëve, Delegacionit të Bashkimit Europian në Mal të Zi, ministrisë përkatëse, Zyrës së Zëvendëskryeministrit të Malit të Zi dhe partnerëve të projektit.

Paneli i parë, “Integrimi europian pa u përballur me të kaluarën – a mund të ecë rajoni përpara?”, do të trajtojë lidhjen mes integrimit europian, bashkëpunimit rajonal dhe pajtimit. Në panel do të marrin pjesë Branka Latinović, Karolina Leaković, Milena Šofranac, Vladimir Perazić dhe Vehid Šehić. Diskutimi do të moderohet nga Strahinja Božinović, nga Lëvizja Europiane në Serbi.

Paneli i dytë, “Nga komentet online te konflikti – si ndikon gjuha e urrejtjes te brezat e rinj”, do të fokusohet te ndikimi i rrjeteve sociale, gjuhës së urrejtjes dhe komunikimit digjital te të rinjtë dhe marrëdhëniet ndëretnike. Panelistë do të jenë Siniša Bjeković, Keisi Bylyku, Kristina Žugić, Dimitrij Trajkovski dhe Bojana Marinković, pjesëmarrëse në kampin rajonal rinor “Reconciliation Through Our Eyes”. Panelin do ta moderojë Milica Žugić, nga OJQ-ja Mladiinfo Montenegro.

Aktiviteti synon të nxisë dialog të hapur mbi sfidat që vazhdojnë ta ndajnë rajonin, si dhe të shqyrtojë mënyrat se si bashkëpunimi, edukimi dhe përfshirja aktive e të rinjve mund të kontribuojnë në ndërtimin e shoqërive të mbështetura te mirëkuptimi, respekti dhe besimi i ndërsjellë.

Projekti District of Reconciliation synon të forcojë kulturën e dialogut, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen aktive qytetare, veçanërisht mes të rinjve, në proceset e pajtimit në Ballkanin Perëndimor.