sqen

Bashkia e Tiranës në kuadër të Tirana European Youth Capital, do të dhurojë 1000 Karta Rinore për të rinjtë e Tiranës

Në kuadër të “Tirana Viti Europian i Rinisë 2022”, Bashkia Tiranë në bashkëpunim me kompanitë e njohura EUROSIG, INSIG dhe UBA BANK, duke bashkëpunuar me Qendrën Youth Act, do të dhurojnë 1000 karta rinore për të rinjtë e kryeqytetit. Ky bashkëpunim do të realizohet përgjatë gjithë vitit 2022 ku të rinj të Tiranës të moshave nga 14-30 vjeç, do të mund të aplikojnë këtu për tu bërë pjesë e rrjetit më të madh rinor në Evropë.

Çfarë është Karta Rinore Evropiane?

Qendra Youth Act, nga shkurti 2015 ka licensën nga European Youth Card Association (EYCA) për të administruar, si operatore e vetme në Shqipëri, Kartën Rinore Evropiane, në formatin klasik Kartë Rinore dhe formatin e bashkë-brenduar Kartë Studentore dhe Rinore.

Karta Rinore Europiane është një mjet ndërkomëtar që fuqizon të rinjtë duke ofruar zbritje në 36 vende të Evropës, përfshirë dhe Shqipërinë, në këta sektorë: kulturë, akomodim, udhëtim, argëtim, trajnime e studime, sektorin shëndetësor, sektorin bankar, në turizëm, telekomunikacion dhe internet, sport, shopping, etj.. Të rinjve shqiptarë u ofrohen të njëjtat përfitime si bashkëmoshatarëve të tyre në Evropë e më gjerë. Në total janë rreth 7 milion kartëmbajtës dhe mbi 60.000 biznese që ofrojnë zbritje në Evropë, ndërsa në Shqipëri janë rreth 12.000 kartëmbajtës dhe 150 biznese që ofrojnë zbritje në sektorë të ndryshëm. 

Funksioni i dytë i kësaj karte është gjenerimi i informacionit falas nëpërmjet kodit të saj unik (password elektrinik dhe user name) për: bursa studimore në Evropë, mobilitet studentor, për programe trajnimi, shkëmbimi, workshope, konkurse ndërkombëtare, punë vullnetare, etj.

Mosha që përfiton Kartën Rinore Evropiane në Shqipëri është 14-30 vjeç dhe zbritjet që ofrojnë bizneset dhe institucionet publike partnere janë 10% – 100% (shërbime falas për antarët).

Më shumë informacion në lidhje me Kartën Rinore dhe funksionet e saj do të gjeni në këtë link: eyca.org

1 logo | 36 shtete | 60 000 zbritje në gjithë Evropën | më shumë se 7 milion kartë-mbajtës!