Në kuadër të projektit “MALLAKASTRA Olive Oil Experience”, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), Qendra Youth Act realizoi në qytetin e Mallakastrës aktivitetin me titull: “Ngritje Kapacitetesh për prodhuesit e vajit të ullirit mbi praktikat e vjeljes, mirëmbajtjes dhe promovimit të produktit”.
Trajnimi kishte si qëllim forcimin e njohurive dhe aftësive praktike të prodhuesve të vegjël të vajit të ullirit dhe aktorëve lokalë të lidhur me sektorin e agroturizmit, duke i pajisur ata me metoda dhe praktika më të mira për përmirësimin e cilësisë së prodhimit, ruajtjen e vlerave të vajit të ullirit dhe promovimin e tij në treg.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e proceseve të duhura të vjeljes së ullirit, duke trajtuar tema si koha optimale e vjeljes, teknikat e mbledhjes që ndikojnë në ruajtjen e cilësisë së frutit, reduktimi i dëmtimeve gjatë procesit dhe ndikimi i këtyre praktikave në cilësinë finale të vajit të ullirit.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit iu kushtua mirëmbajtjes së ullishtave dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pemëve të ullirit, duke përfshirë praktikat e kujdesit sezonal, rëndësinë e monitorimit të shëndetit të pemëve dhe masat që ndihmojnë në rritjen e produktivitetit dhe ruajtjen e traditës së kultivimit të ullirit në zonën e Mallakastrës.
Në fokus të workshop-it ishte edhe vaji i ullirit Kalinjot, si një produkt me identitet të fortë territorial, i lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore, traditat bujqësore dhe potencialin turistik të Mallakastrës. Pjesëmarrësit diskutuan mbi mënyrat për të rritur vlerën e këtij produkti përmes standardeve më të mira të prodhimit, paketimit cilësor, ndërtimit të markës dhe komunikimit efektiv me konsumatorët.
Përmes sesioneve praktike dhe diskutimeve të përbashkëta, prodhuesit u njohën gjithashtu me rëndësinë e promovimit dhe tregimit të historisë së produktit (storytelling), duke kuptuar se origjina, tradita dhe veçantia e vajit të ullirit Kalinjot mund të shndërrohen në elementë të rëndësishëm për rritjen e njohjes së produktit, besimit të konsumatorëve dhe konkurrueshmërisë në tregjet lokale dhe turistike.










