sqen

Konkurs Kombëtar mbi Sipërmarrjen

Në datë 28/09/2023 u zhvillua Konkursi Kombëtar i Sipërmarrjes në kuadër të projektit “Rinia Novatore & Sipërmarrëse” i cili financohet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe Ministria e Rinisë dhe fëmijëve. Në këtë konkurs masiv morën pjesë 32 nxënës të gjimnazeve të ndryshme të vendit, të ndarë në tetë grupe të cilët paraqitën idetë e tyre brilante para një komisioni ekspertësh të përbërë nga Znj. Sabina Borakaj (Drejtore Ekzekutive pranë Qendrës Youth Act), Z. Amir Esmaeilakhtar (Ekspert IT), Z. Sokol Shurdhi (Ekspert IT) dhe Znj. Olta Murataj (Eksperte per Bootcamp).
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte zbulimi dhe mbështetja e talenteve në fushën e teknologjisë për të komercializuar idetë dhe jetësuar ato, në shërbim të sektorëve dhe industrive të ndryshme. Nxënësit paraqitën prototipe të përditësuara me kohën, estetikisht interesante dhe një pjesë e tyre të gatshëm për tu hedhur në treg.
Ne jetojmë në një periudhë kur sipërmarrësit synojnë të krijojnë biznese që janë më aktivë e që synojnë të sjellin risitë e tyre te klientët e të ndihmojnë ata për t’u përshtatur me një realitet të ri.
Nga këto projekte ato që u përzgjodhën si më të mirat ishin:
  • Në vend të parë me programin “Blite” i cili i vjen në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, e krijuar nga nxënësit e shkollës “Hermann Gmeiner”, Amalia Bala, Firdeus Kasaj, Kristi Bushi, Leo Meçaj, nga shkolla “Woodrow Wilson”, Jueda Avdillari si dhe Alkid Shuli nga Universiteti i Tiranës.
  • Në vend të dytë programi “Smart Library” i cili vjen në ndihmë të librarive për identifikimin e vendosjes së librave që ndodhen në librari, krijuar nga nxënëset e shkollës “Hafiz Ibrahim Dalliu”, Elona Çoku dhe Suada Rrustaj.
  • Në vend të tretë me projektin “Water City”, një aparaturë dixhitale për ujitjen e bimëve, nga shkolla “Qemal Stafa” me ideatorë nxënësit Ador Sula, Arbio Qehaj, Arjola Metaliaj dhe Ester Dosti.
Krahas përzgjedhjes së ideve më të mira u bë gjithashtu ndarja e kupave dhe certifikatave sipas vendeve përkatëse, si dhe certifikata pjesëmarrëse për të gjithë nxënësit e tjerë të cilët morën pjesë në këtë aktivitet.