sqen

Hiking | Kukës – Bjeshka e Terfojës

Aktivitete në terren – Kukës
Promovimi turistik dhe të eksplorimi real

Itinerari – Kukës – Fshati Fshat – Mulliri i vjetër – Ura e fshatit – Xhamia — Kroi i Bardhë – Bjeshka e Terfojës.

Në zbatim të projektit “Të rinjtë për turizmin e aventurës”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i cili synon të mbrojë e të zhvillojë destinacionet turistike të bashkisë Kukës duke promovuar turizmin e aventurës si një trend për të rinjtë dhe jo vetëm, u zhvillua aktiviteti hiking me destinacion Kukës – Fshati Fshat – Mulliri i vjetër – Ura e fshatit – Xhamia — Kroi i Bardhë – Bjeshka e Terfojës.
Nën udhëheqjen e Stafit të Qendrës Youth Act si dhe Koordinatores lokale Kukës Znj. Ervisa Toda 15 të rinj, përfaqësues të Këshillit Rinor Kukës dhe gjimnazit “Havzi Nela”, u informuan mbi elementët karakteristikë të këtij itinerari që duhen promovuar edhe më tej për vlerat e tyre lidhur me trashëgiminë kulturore, natyrore, historike e kulinare si vijon:

  • Fshati Fshat shtrihet ndërmjet dy lumenjve qe derdhen ne Drinin E Zi. Si fshati Fshat si Grykë Caja janë vende mjaft te pasura si nga ana kulturore ashtu dhe natyrore.
  • Këto zona kanë vegla të ndryshme muzikore si fyelli, çiftelia, lodra etj. Po ashtu dhe vallet e këngët nuk mungojnë. Banorët janë shumë mikpritës dhe bujarë.
  • Në këtë itinerar gjejmë dhe elemente te tjera kulturore siç është xhamia e fshatit, ura dhe mulliri i fshatit të cilat dëshmojnë për pasurinë e trashëgimisë natyrore e historike.
  • Kroi i Bardhë mbetet jo vetëm një destinacion i preferuar nga turistet e huaj por edhe një vend me vlera të rralla kurative, pasi ndikon në shërimin e disa sëmundjeve të ndryshme. Kroi i Bardhë frekuentohet prej më se 25 vjetësh nga vizitorë, pushues të shumtë, gjatë muajve të verës, megjithëse ende nuk ka kushte dhe infrastrukturë të përshtatshme. Gjithnjë është folur për rëndësinë e një investimi në këtë pikë turistike të rrallë, që nënkupton ndonjë kamping, hotel e mjedise të tjera për frekuentuesit, por deri sot nuk është realizuar diçka e tillë.

Ky aktivitet do të pasohet edhe nga itinerare të tjera të promovimit turistik dhe të eksplorimit real, ku të rinjtë e bashkisë Kukës do të jenë promotorë të këtyre destinacioneve.