Olive Oil day & Heritage Fest

Më 13 nëntor, në kuadër të projektit “Mallakastra Olive Oil”, të zbatuar nga Qendra Youth Act në bashkëpunim me Bashkinë Mallakastër, u organizua aktiviteti “Olive Oil Day & Heritage Fest”, një ditë e dedikuar promovimit të traditës, trashëgimisë kulturore dhe pasurisë gastronomike të Mallakastrës.

Në qendër të aktivitetit ishte promovimi i vajit të ullirit Kalinjot, i prodhuar nga varieteti autokton Kalinjot, një prej pasurive bujqësore dhe kulturore të kësaj treve. Një element i rëndësishëm i projektit ishte mbështetja për identifikimin dhe promovimin e këtij produkti përmes procesit të etiketimit. Gjatë aktivitetit, vizitorët patën mundësinë të njiheshin nga afër me vajin e ullirit të etiketuar në kuadër të projektit, duke vlerësuar cilësinë, origjinën dhe veçantinë e tij.

Një vend të veçantë në këtë festë zuri edhe gastronomia tradicionale mallakastriote. Të pranishmëve iu prezantuan gatime karakteristike të zonës, të përgatitura sipas traditës dhe recetave të trashëguara ndër breza. Nga gjeli i detit me përshesh, një prej gatimeve më përfaqësuese të tryezës tradicionale, te petaniku, rosnica dhe specialitete të tjera vendase, aktiviteti solli në vëmendje larminë e shijeve dhe autenticitetin e kuzhinës së Mallakastrës.

Përmes këtyre produkteve dhe gatimeve, festivali synoi të nxjerrë në pah lidhjen e ngushtë mes prodhimit vendas, traditës kulinare dhe identitetit kulturor të zonës, duke promovuar njëkohësisht potencialin e Mallakastrës si destinacion me vlera të veçanta gastronomike dhe turistike.

“Olive Oil Day & Heritage Fest” shërbeu si një mundësi për të bashkuar prodhuesit lokalë, komunitetin dhe vizitorët rreth një qëllimi të përbashkët: ruajtjen, promovimin dhe vlerësimin e produkteve vendase dhe trashëgimisë së pasur të Mallakastrës.

Projekti “Mallakastra Olive Oil” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).