sqen

Partneritet për të rinjtë dhe shëndetin

Në ambientet e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, u zhvillua nënshkrimi i Deklaratës së Partneritetit mes OSHKSH-së dhe Youth Pulse Network një grup rinor që ka në fokus shëndetin mendor dhe riprodhues të të rinjve në rajon. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm, znj. Jeta Deda, dhe përfaqësuesi i grupit rinor, z. Denis Ilias, duke shënuar kështu fillimin e një bashkëpunimi me vlera të rëndësishme për shëndetin publik dhe përfshirjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse.

Youth Pulse Network është një grup i përbërë nga pesë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët janë angazhuar për të adresuar sfidat që përballen bashkëmoshatarët e tyre në fushën e shëndetit mendor dhe riprodhues. Përmes projektit “Youth Pulse Health Talks Forum”, ata synojnë të krijojnë hapësira dialogu dhe bashkëpunimi midis të rinjve dhe institucioneve shëndetësore, duke kontribuar drejtpërdrejt në hartimin e politikave publike që u përgjigjen nevojave reale të kësaj grupmoshe.

Ky projekt realizohet në kuadër të programit rajonal “Regional Youth Dialogue for Europe” (RYDE), një nismë e financuar nga Bashkimi Evropian, që mbështet përfshirjen aktive të të rinjve në zhvillimin demokratik dhe promovimin e vlerave evropiane në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndiqet nga Qendra Youth Act.

Përmes këtij partneriteti, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor do të ofrojë mbështetje për zbatimin konkret të disa prej aktiviteteve kyçe të projektit. Një prej tyre është shpërndarja e sondazhit online “Youth Health Needs Survey”, me qëllim identifikimin e nevojave të të rinjve në fushën e shëndetit.
👉 Linku i sondazhit: https://forms.gle/MhhMëpLR6qT9ZBSHA