Strugë, Maqedonia e Veriut – 23-30 Prill 2025
Faza e parë e projektit ndërkombëtar Breaking Boundaries: “Empowering Balkan Civil Society and Advancing EU Accession” u zhvillua në Strugë dhe mblodhi së bashku të rinj nga vendet e Ballkanit dhe disa shtete të BE-së. Përfaqësuesit nga Shqipëria ishin vullnetarë të angazhuar të Youth Act, të cilët falë kontributit të tyre të vazhdueshëm në komunitet përfituan këtë mundësi për të qenë pjesë e një eksperience me ndikim të madh personal dhe profesional.
Programi i kësaj faze përfshinte trajnime të strukturuara, sesione ndërvepruese, aktivitete dinamike në grup dhe diskutime të thella mbi çështje me rëndësi për të rinjtë në rajon. Përmes metodave jo-formale, pjesëmarrësit eksploruan tema si identiteti kulturor, bashkëjetesa, ndërtimi i paqes dhe roli i të rinjve në proceset demokratike.
Një nga momentet kulmore ishte Cultural Exchange Night, ku të rinjtë shqiptarë prezantuan veshje tradicionale, gatime karakteristike dhe elemente të trashëgimisë sonë kulturore, duke ndarë me pasion dhe krenari historinë dhe shpirtin e popullit tonë.
Ky aktivitet nuk ishte vetëm një shkëmbim kulturor, por një hap konkret drejt ndërtimit të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkufitar mes të rinjve të rajonit – një përvojë që la gjurmë të thella tek secili pjesëmarrës dhe i dha kuptim real emrit të projektit: Breaking Boundaries.
Qendra Youthact













