Kopenhagen mirëpret vullnetarët e Youth Act: Një hap më pranë Evropës përmes Breaking Boundaries

Kopenhagen, Danimarkë –23-29 Maj 2025

Pas fazës së parë në Strugë, projekti Breaking Boundaries vijoi rrugëtimin e tij me fazën e dytë të zhvilluar në Kopenhagen, një nga kryeqytetet më progresive të Evropës. Kjo fazë theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në forcimin e shoqërisë civile dhe në proceset integruese të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Pjesëmarrësit nga Shqipëria, vullnetarë të Youth Act, morën pjesë në trajnime tematike, prezantime nga ekspertë, diskutime të hapura dhe simulime të institucioneve evropiane. Një moment shumë i rëndësishëm ishte simulimi i Komisionit Evropian, ku të rinjtë morën rolet e vendimmarrësve për të diskutuar masa konkrete në lidhje me çështje që prekin drejtpërdrejt të ardhmen e rajonit.

Për më tepër, vizita në Europa House ofroi një pasqyrë të thelluar mbi mënyrën se si funksionon BE-ja nga brenda dhe rolin që të rinjtë mund të kenë si qytetarë aktivë.

Pjesa sociale e programit u pasurua nga netët kulturore dhe aktivitetet e rrjetëzimit mes pjesëmarrësve nga vende të ndryshme – një mundësi e artë për të ndarë ide, për të kuptuar realitete të tjera dhe për të krijuar lidhje që shkojnë përtej kufijve shtetërorë.

Kjo fazë u kthye në një pikë kyçe në fuqizimin e zërit të të rinjve ballkanikë si faktor aktiv në zhvillimin demokratik dhe afrimin e rajonit me strukturat evropiane.