Qendra Youth Act zhvilloi modulin e trajnimit “Platforma e problemeve dhe Krijimi i Youth Hub”, aktivitet i projektit YOUth FOR CHANGE, financuar nga LëvizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC. Në seancat e trajnimit morën pjesë nxënësit e gjimnazeve të Bashkisë së Kurbinit dhe konkretisht At Shtjefën Gjeçovi (Laç), Arif Halil Sulaj (Mamurras), At Shtjefën Kurti (Gore) dhe gjimnazit të Milotit. Ky cikël trajnimi përkon me Fazën e Dytë të projektit, atë të përfshirjes në mënyrë indirekte në projekt edhe të të rinjve të tjerë të rrethit të Kurbinit duke synuar në këtë mënyrë edhe rritje të pjesëmarrjes dhe të angazhimit qytetar në çështje të komunitetit. Në trajnim u diskutua mbi problemet e ndryshme që evidentojnë të rinjtë rreth angazhimeve në komunitet dhe mënyrave të forcimit të bashkëpunimit në vendimmarrje e zgjidhje problemesh. Në fund të secilës seancë nxënësit votuan edhe për përfaqësuesit përkatës në Këshillin Rinor i cili përbëhet nga 19 të rinj, 14 vajza dhe 5 djem. Kjo përfaqësi do të transmetojë zërin e të rinjve dhe nevojat e komunitetit në takimet me përfaqësues të qeverisjes vendore të rrethit të Kurbinit.