sqen

Maratona vullnetare 48-orëshe në Vlorë

Në zbatim të projektit “YOUth ACTING”, financuar nga LëvizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, i cili ka për qëllim të rrisë dhe fuqizojë rolin e të rinjve në vullnetarizëm si dhe të forcojë bashkëpunimin institucional për njohjen dhe mbështetjen e vullnetarizmit, u zhvillua një aktivitet maratonë vullnetare 48-orëshe në qytetine Vlorës. Ky aktivitet u mbështet nga një përfshirje masive e të rinjve në aktivitete vullnetare për grupet në nevojë dhe konkretisht:
– Aktivitete argëtuese për fëmijët e pavionit pediatrik të Spitalit Rajonal Vlorë;
– Aktivitete argëtuese e bashkëbiseduese me të moshuarit e “Qendrës ditore të të moshuarve”, ku u dhuruan edhe libra me qëllim aktivizimin e tyre në kohën e lirë;
– Aktivitete sportive në shkollën e mesme “Mustafa Qemal Ataturk” me qëllim përfshirjen e sa më shumë grupeve vulnerabël duke nxitur tek të rinjtë sportin si një mjet i rëndësishëm në aktivizimin masiv rinor;
– Ndërgjegjësim rinor për aktivizim në vullnetarizëm përmes panairit ndërgjegjësues ku vetë të rinjtë nëpërmjet ideve të tyre kreative dhanë mesazhe për rëndësinë e përfshirjes në vullnetarizëm.


Në aktivitetet e zhvilluara në shkollë ishte i pranishëm edhe Kryetari i bashkisë Vlorë, Z. Dritan Leli, i cili jo vetëm përgëzoi organizatorë dhe pjesëmarrësit në aktivitet, por edhe prezantoi programin e Bashkisë Vlorë për nxitjen e vullnetarizmit dhe përfshirjen e të rinjve në aktivitete drejt grupeve në nevojë. Me mbështetjen e Rrjetit të Vullnetarëve, kjo nismë do të zbatohet nga Bashkia edhe në vitet e ardhshme duke u kthyer në një traditë.