Në zbatim të projektit “New Start-Educate in Healthy, Safety and Security Environment”, financuar nga Italian-Albanian Debt for Development Swap Program (IADSA) i cili synon përmirësimin e ambientit social e mjedisor për edukimin e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Migjeni” në Mamurras, u zhvillua një aktivitet informues e ndërgjegjësues me prindër të nxënësve të kësaj shkolle mbi rritjen e shkallës së bashkëpunimit mes tyre e mësuesve për parandalimin e bullizmit dhe çrregullimet e shëndetit mendor të fëmijëve.
Gjatë aktivitetit u diskutuan disa çështje që lidhen me rëndësinë e komunikimit me fëmijët si dhe të qenit të vëmendshëm ndaj çdo sjelljeje të tyre me qëllim marrjen e masave parandaluese si dhe përfshirjen e fëmijëve në programe e angazhime sociale të cilat rrisin altruizmin, përfshirjen, punën në grup, jetën e shëndetshme etj. Prindërit shfaqën interes të veçantë edhe në ndarjen e eksperiencave të tyre. Nga ana tjetër, u sollën shembuj e situata praktike të ndjekura edhe në vende të huaja të cilat jo vetëm parandalojnë bullizmin që në fazat e hershme të tij, por edhe identifikojnë nxënësit të cilët kanë të nevojshme mbështetjen e mëtejshme të psikologut e të familjes.