“Sfidat e Shekullit të Ri” |Nga Kujtim Veseli

Gift Card

Kush do ta mendonte që pas zhvillimit të hovshëm të kohës, kulturës dhe njërëzimit, do të arrinim të përjetonim situatën në të cilën të gjithë jemi të përfshirë, “ne Luftën e Tretë Botërore”.  Kjo mund të cilësohet madje edhe më e vështira, sepse askush nga ne nuk është i aftë ta shikojë armikun dhe sulmet e tij të vazhdueshme drejt nesh. Në këtë luftë nuk ka dallim, ku dikush arrin të shpëtojë duke mbështetur pushtuesin, apo duke qenë i plotfuqishëm, por të gjithë e kemi riskun që të përballemi me “të rrezikshmin vdekjeprurës”.

Bota po kalon çastet e saj më të vështira duke pësuar humbje të mëdha nga çdo drejtim. Pandemia ka prekur çdo cep të saj, madje edhe vendet që më parë mund tu duknin të padukshme. Pas tragjedive të panumërta, ne ishim të detyruar të hapnim dyert edhe për “mikroskopikun” që askush nuk do ta besonte që mund të ishte aq i aftë sa të “paralizonte” në mënyrën më dëshpëruese jetët tona.
Alarmi u ngrit dhe si pa e kuptuar çdo gjë u vulos nën strehëzën e saj, ashtu siç bëmë edhe ne. Rrjedha e përditshmërisë ndryshoi plotësisht, duke filluar qe nga shkuarja ne punë dhe shkollë e deri tek të ushqyerit.

Të gjithë përpiqemi të përmbushim sa më mirë rregullat e vetëmbrojtjes. Madje frika na ka pushtuar së tepërmi dhe me ankth dëgjojmë të rejat më të fundit rreth situatës pandemike në vendin ku jetojmë dhe jo vetëm. Por a do të ketë një fund kjo luftë, ashtu siç e pat edhe një fillim si pa e kuptuar? A do të jetë njerëzimi i aftë që ta mposhtë “armikun e përbetuar”? Them se të gjithë mundemi, por shpëtimi nga kjo luftë nuk vjen duke luftuar, por duke duruar, duke qëndruar të rrethuar me rregullat mbrojtëse dhe duke besuar në atë pakëz dritë që arrijmë të shikojmë.

Bota gjithmonë ka vuajtur, madje shumë herë është rrëzuar, por sërish këmi arritur të ngrihemi në këmbë dhe me ndihmën e njëri – tjetrit kemi ndërtuar nga e para foletë e shembura.
Ndoshta ky mund të jetë fundi për të gjithë ne dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë fakt, por unë jam e bindur që jeta do të ringjallet sërish, sepse parashikimet po e provojnë këtë gjë.
Ajnshtajni ka thënë qe Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë të gjithe e pamë se si ndodhi, për Luftën e Tretë nuk jemi në dieni se në çmënyrë do të ndodhë, por Lufta e Katërt do të bëhet me gurë dhe me shkopinj.
Pra pavarësisht çdo gjëje, kjo histori do të vuloset dhe nje e re do të hapet sërish për të gjithë ne.

Punoi:
Kujtim Veseli
Gjimnazi Milot

Shënim: Kujtim Veseli është nxënës aktiv në projektin “Youth for Change”, i cili zbatohet nga Qendra Youth Act dhe financohet nga LëvizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.