sqen

INFORMACION MBI TRYEZËN E RRUMBULLAKËT ORGANIZUAR NGA ISHCP

9
8
5
4
3

“Të diskutojnë për dhunën me bazë gjinore – të punojmë së bashku djem e vajza për të eliminuar dhunën në komunitetin tonë”
Një tryezë e rrumbullakët u organizua nga Instituti Shqiptar për Çështjet Publike më datë 10 dhjetor, në ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Synimi i aktivitetit ishte të ndërgjegjësonte studentët për dhunën me bazë gjinore, shkaqet e ekzistencës si dhe mënyrat e aktorët përgjegjës për ta eliminuar atë. Në këtë aktivitet të zhvilluar në kuadër të projektit kundër dhunës në familje, të mbështetur nga UNDP, UN-Woman, MMSR me fonde të qeverisë Suedeze, morën pjesë përfaqësues të drejtorisë për barazinë gjinore në MMSR dhe nga UN Women e UNDP.


Tryeza u moderua nga koordinatorja e projektit, që prezantoi projektin ecurinë dhe arritjet e deritanishme së bashku me program menaxheren e YouthAct, Sidita Gjipali që foli për veprimtaritë e zhvilluara nga Youth Act si palë në projekt. Në vazhdim u shfaq në ekran një përmbledhje e aktiviteteve të projektit të realizuara me shije e kujdes nga pedagogu Andi Gjokutaj që ka ndjekur tërë aktivitetet e projektit.


Më tej përshëndeti auditorin përfaqësuesja e MMSR, znj. Etleva Sheshi, e cila shpjegoi punën e kryer nga aktorët qeveritarë në zbatim të ligjit “Për masa kundër dhunës në marrëdhëniet familjare” dhe iu përgjigj pyetjeve të studentëve për këto probleme. Ndërsa Dr. Emira Shkurti, menaxhere programi kundër dhunës UNDP shpjegoi dhunën dhe shfaqjet e saj në Shqipëri dhe në botë duke e ilustruar me shembuj e raste konkrete nga vendi e bota. Interesant ishte për studentët thyerja e akullit duke përdorur lojën “Nyje njerëzore”, çka i bëri studentët të mendojnë se nuk ka asgjë të parealizueshme, kështu edhe eliminimi i dhunës me bazë gjinore. Dr. Shkurti e zhvilloi leksionin në formë bashkëbisedimi duke folur e përgjigjur njëkohësisht pyetjeve të auditorit. Me interes për pjesëmarrësit ishte shpjegimi i përfaqësuesit të UNDP, z. Besnik Baka që foli rreth sloganit të OKB në këtë fushatë ‘He for She’.


Ndërsa pedagoget e UMB, Dr. Merita Selita dhe Dr. Edita Fino, i orientuan ndërhyrjet e tyre në këndvështrimin social dhe psikologjik të dhunës me bazë gjinore.


Tryeza e rrumbullakët ishte një veprimtari e arrirë për të informuar të rinjtë e njëkohësisht për t’i ndërgjegjësuar që të jenë aktivë në veprimtaritë shoqërore, për ta bërë më të mirë shoqërinë tonë, komunitetin e mjedisin ku jetojmë e mësojmë.


Të tjera veprimtari të këtij lloji e më të larmishme do të zhvillohen nga ISHCP në kuadrin e projektit “Të edukojmë të rinjtë të punojnë së bashku për të ndërtuar një shoqëri paqësore kundër çdo lloj dhune me bazë gjinore”, duke u shtrirë edhe në qytetet e tjera të vendit, Ersekë, Peshkopi, Pogradec e Kavajë.