Thirrje për Aplikim Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN

Thirrje për Aplikim

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), me mbështetjen e Komisionit Europian, Agjencia Ekzekutive për Arsimin, Kulturën, Mediat Audiovizive, në kuadër të programit Jean Monnet “Policy Debate with Academic World” prezanton Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN).

 

Ndërkohë që Shqipëria po përgatitet drejt hapit tjetër të afërt të rrugëtimit në BE, atë të hapjes së negociatave për anëtarësim, rritet nevoja e një informimi të thelluar dhe përgatitjeje të grupeve të cilat preken direkt nga ky proces. Një seri workshop-esh të mirë strukturuara mbi BE-në, që kombinojnë qasje teorike, raste praktike dhe shkëmbime eksperiencash do të trajtojnë çështjet më të rëndësishme që lidhen me rolin transformues të Bashkimit Europian në Shqipëri, perspektivën e anëtarësimit e veçanërisht përballimin me sukses të negociatave.

 

Kemi kënaqësinë të hapim Thirrjen për Aplikim për pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga administrata publike (nivel qendror dhe vendor), sektori privat, shoqëria civile, media, qendrat kërkimore dhe universitetet, në Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), që do të realizohet gjatë periudhës maj 2017 – shkurt 2018. Afati i aplikimit është data 26 prill.

Në sajë të Akademisë synojmë:

  • Thellim të njohurive dhe rritje të kapaciteteve profesionale të rreth 50-60 punonjësve publik, përfaqësuesve të shoqërisë civile, sipërmarrësve privat, akademikë, profesionistëve të rinj dhe gazetarëve me procesin dhe strukturën e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, duke u fokusuar në rolin dhe kontributin që aktorë të ndryshëm kanë në avancimin e këtij procesi sipas kapitujve specifik të përzgjedhur
  • Nxitjen e dialogut mes aktorëve të strukturave shtetërore dhe atyre të shoqërisë civile në paraqitjen e situatës faktike të Shqipërisë, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin mes ekspertëve dhe profesionistëve të rinj për përballimin e çështjeve të vështira të transformimit të vendit në kuadër të integrimit Europian.
  • Krijimin e një rrjeti me profesionistë të përgatitur e aktiv për tu përballur me sfidat që Shqipëria ndeshet.

 

Kriteret e kandidatit

 

  • Përshtatshmëria e studimeve, profesionit dhe eksperiencës së punës me Modulet/tematikat e përzgjedhura. Do të sigurohet një pjesëmarrje e profesionistëve me eksperiencë si dhe atyre të rinjve të cilët janë të paktën në ndjekje të studimeve Master.
  • Njohuria e gjuhës angleze është e domosdoshme pasi realizimi i workshopeve do të jetë në shqip e anglisht (pa përkthim).
  • Angazhimi i plotë në pjesëmarrjen e Moduleve të caktuara dhe aktiviteteve të tjera të përfshira në program.

 

Në formatin online të Aplikimit (EMA Jean Monnet Forma e Aplikimit)duhet të bashkëngjitni dokumentet e mëposhtëm (në Shqip ose Anglisht)

  • CV
  •  Letër motivimi për pjesëmarrje duke specifikuar Modulet që preferoni për të ndjekur dhe lidhjen tuaj akademike apo profesionale me to. (përveç Modulit Hyrës dhe Përmbyllës që janë të detyrueshëm për të gjithë)

 

Çdo aplikues i përzgjedhur do të ndjekë së paku 5 module (2 të detyrueshëm e 3 me zgjedhje) të cilat do përcaktohen në bazë të kërkesave dhe disponueshmërisë.

 

Gjatë periudhës (maj 2017 – shkurt 2018) do të realizohen 9 Module (Workshop-e, 2 ditore, ditë të premte pasdite dhe të shtunë), të strukturuar në 6 sesione. Do të përfshihen më shumë se 40 lektorë ekspertë të fushave që trajtohen e ku ¼  e tyre vijnë nga institucione akademike Europiane. Dy sesionet e para do të ofrojnë një analizë të situatës së Shqipërisë në lidhje me tematikën, duke theksuar kuadrin ligjor, institucional dhe sfidat e aktorëve të sektorit shtetëror, privat si dhe shoqërisë. Në sesionet e tretë dhe të katërt, ekspertët e huaj do të kontribuojnë me ekspertizën nga vendi i tyre, duke ofruar një perspektivë rajonale / Europiane. Sesioni i pestë dhe i gjashtë do ti dedikohen simulimit të negociatave si dhe Punë Grupi të rasteve praktike.

 

Referuar kapitujve të negociatave konsideruar parësore për aderimin e Shqipërisë në BE, Modulet do të adresojnë këtë tematika:

  1. Moduli hyrës: (Struktura institucionale në BE;  Procesi i vendimmarrjes; Kuadri ligjor – Traktatet; Fazat e Zgjerimit- Shembuj nga rajoni; Hapat- Integrimi i Shqipërisë; Llojet e Negociimit dhe aftësitë negociuse)
  1. “Konkurrenca dhe Ndihma shtetërore” – Kapitulli 8: Politikat e Konkurrencës
  1. “Lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve“ – Katër Liritë e Tregut, Kapitulli 1 dhe 3
  2. “Qytetaria e BE-së dhe lëvizja e lirë e punonjësve”- Katër Liritë e Tregut, Kapitulli 2
  3. “Promovimi i të drejtave të njeriut në kuadër të Integrimit Europian” – Kapitulli 23:Bashkëpunimi në Fushën e Gjyqësorit dhe të Drejtave Themelore
  4. “Migracioni dhe Politikat e Vizave”- Kapitulli 24: Drejtësi, Liri dhe Siguri
  5. “Shqetësimet mjedisore në Shqipëri dhe standardet Europiane“-Kapitulli 27: Mjedisi

8.“Politikat Audiovizive“ – Kapitulli 10 : Shoqëria e Informacionit dhe Media

  1. Moduli përmbyllës: (Vlerësimi i Moduleve dhe Punës në Grup; Vazhdimësia e Rrjetit të profesionistëve-Alumni dhe Rrjetit të ekspertëve Europian; Ide për projekte e angazhime të pjesëmarrësve)

 

Midis workshop-eve janë parashikuar të realizohen vizita studimore e takime në institucione, organizata e agjenci kombëtare dhe Europiane sipas tematikës së trajtuar.

 

Në përfundim të ciklit të Workshope-ve të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave do të pajiseni me Dëshmi të pjesëmarrjes dhe ndjekjes me sukses të Moduleve të programit Jean Monnet “Policy Debate with Academic Word”Komisionit Europian, Agjencia Ekzekutive për Arsimin, Kulturën, Mediat Audiovizive, ku do të specifikohen Modulet e ndjekura nga ana juaj.

Regjistrimi dhe pjesëmarrja është pa pagesë. Për të gjithë pjesëmarrësit do të sigurohet baza materiale e nevojshme gjatë aktivitetit, e për ata me vendbanim jashtë Tirane, do tu sigurohet qëndrimi dhe transporti për ndjekjen 2 ditore të workshopit.

 

 

Për tu përditësuar mbi aktivitetet e radhës (lançimi i Akademisë, kalendari i Moduleve si dhe datat e vendet përkatëse), na ndiqni në faqen zyrtare të organizatës, www.em-al.org

 

 

Mirëpresim aplikimet tuaja,

Stafi i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA)

*******************************